Artikull nga gjuhëtari i njohur prof. Emil LAFE
Updated: Oct 3, 2021
Falenderojmë profesorin Lafe që na dha ekskluzivitetin e botimit në faqen tonë të shoqatës.
Profesor Emil Lafe kreu studimet në Universitetin e Tiranës në vitin 1959 dhe prej atëherë ka punuar në këtë universitet dhe në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave. Ka qenë drejtor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare, që ishte një organizëm i Akademisë së Shkencave, i ngarkuar me përpunimin e botimit të dytë të fjalorit enciklopedik shqiptar dhe hartimin e enciklopedisë shqiptare.
KURSI I GJUHËS SHQIPE DHE I KULTURËS SHQIPTARE
PËR MËSUESIT ARBËRESHË – NJË VEPRIMTARI QË DUHET PËRTËRITUR DHE INSTITUCIONALIZUAR
Nga fundi i viteve ’50 dhe veçanërisht në vitet ’60–’70 të shekullit të kaluar, në klimën e përgjithshme të përmirësimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me Italinë dhe të shtimit të ndjeshëm të shkëmbimeve tregtare e të marrëdhënieve ekonomike, edhe lidhjet e Shqipërisë me Botën Arbëreshe erdhën duke u shtuar e duke u institucionalizuar. Më 9–10 prill 1960 u organizua në Bari Kuvendi i parë i Studimeve Shqiptare. Kjo ishte një ngjarje shumë e rëndësishme jo vetëm kulturore, ndonëse nuk pati ndonjë jehonë në shtypin e kohës. Të bën përshtypje se vëllimi “Rassegna di studi albanesi” me materialet e këtij kuvendi ishte konceptuar atëherë si i pari i një serie që do të vijonte, prandaj ka shënimin novembre-dicembre 1960, n. 1 dhe ishte regjistruar në Gjykatën e Romës si periodik shkencor. Ndonëse “Rassegna” nuk vijoi, edhe ky numër i vetëm qe një sinjal pozitiv. Problemet që i dolën Shqipërisë pas prishjes me Moskën dhe vendet e tjera të lindjes e lanë mënjanë për njëfarë kohe afrimin dhe bashkëpunimin kulturor e shkencor me Botën e Arbëreshëve të Italisë. Një ngjarje shkencore që do ta bënte të pranishme në Shqipëri Botën Arbëreshe të pasluftës, të paktën në mjediset shkencore-kulturore qe botimi më 1963 i një vepre gjuhësore: “Fjalor i Arbëreshvet t’Italisë” (590 fq.). Autori, zoti Emanuele Giordano (1920–2015), iu drejtua atëherë autoriteteve shqiptare që të blinin një sasi të tirazhit për ta ndihmuar që të përballonte shpenzimet e shtypit. Fatmirësisht kërkesa gjeti mirëkuptim dhe në Shqipëri erdhën 300 kopje të fjalorit, që u shitën nëpër libraritë. Botimi dhe ardhja e këtij fjalori ishte një shenjë e mbarë e gjallësisë dhe jetësisë së gjuhës dhe kulturës arbëreshe dhe u prit shumë mirë, sidomos nga brezi i ri i filologëve që kishin kryer studimet në Tiranë.
Kultura dhe letërsia arbëreshe kanë qenë përherë të pranishme në Shqipëri që me organizimin e arsimit të mesëm. Prej viteve ’20 të shekullit të kaluar (me tekstin e Justin Rrotës “Letratyra shqype per shkolla të mjesme”, 1925) e në vijim në shkollat e mesme të Shqipërisë janë studiuar autorë arbëreshë, herë më pak e herë e herë më shumë, por J. De Rada ka qenë dhe mbetet më i njohuri dhe i përhershmi. Admirimi dhe adhurimi i shqiptarëve për arbëreshët, si pasardhës të drejtpërdrejtë të trimave të Motit të Madh, si frymëzues të idealeve të lirisë kombëtare, ka bërë që edhe shteti shqiptar ta vështrojë Botën Arbëreshe si pjesë të pandarë të qenies shqiptare dhe të ndiejë një përgjegjësi për gjendjen kulturore-arsimore, për nevojat e kërkesat e saj. Kështu, në fillim nëpërmjet Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme (i krijuar më 1959), më pas nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Universitetit të Tiranës dhe Akademisë së Shkencave marrëdhëniet me Botën Arbëreshe erdhën duke u shtuar. Filloi të organizohej “Java e kulturës shqiptare” në katundet arbëreshe, ndërsa grupe artistike arbëreshe merrnin pjesë në Festivalin folklorik të Gjirokastrës dhe në festivale të tjera në Shqipëri. Grupe arbëreshësh, ndër ta edhe të rinj të moshës studentore, vinin për qëndrime të shkurtra në Shqipëri dhe për një kurs të shkurtër të gjuhës së sotme shqipe. Në atë kohë arbëreshët e Italisë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në parlamentin italian po bënin përpjekje këmbëngulëse për të fituar të drejtën që në shkollat e fshatrave arbëreshe të mësohej gjuha letrare shqipe dhe në administratën e komunave arbëreshe të përdorej krahas italishtes edhe shqipja. Por do të kalonin edhe gati 20 vjet derisa parlamenti të miratonte më në fund një ligj për mbrojtjen e gjuhëve të pakicave historike të Italisë (ndër të cilat pakica arbëreshe renditet e para). Dashuria e arbëreshëve për gjuhën amtare e për traditat kulturore kombëtare, e trashëguar brez pas brezi, kishte marrë një hov e një frymëzim të ri dhe përkrahej gjerësisht edhe nga rinia. Disa grupe të rinjsh ishin zotuar të flisnin vetëm arbërisht në bisedat e tyre të përditshme. Në fshatrat arbëreshe, të shpërndara gati në gjithë krahinat e Italisë së Jugut e në Sicili, vërehej një këndellje a përtëritje kombëtare e kulturore e vërtetë. Dëshira për t'i zgjeruar lidhjet me atdheun-mëmë, Shqipërinë, ishte e përgjithshme dhe përparimet ekonomike e kulturore të Shqipërisë ngjallnin tek arbëreshët një ndjenjë krenarie e optimizmi se punët do të shkonin edhe më mirë. Rinia arbëreshe shfaqte qartë dëshirën për të njohur më nga afër Shqipërinë, historinë e popullit tonë, letërsinë, artin e kulturën shqiptare. Në këtë atmosferë në rritje të marrëdhënieve me Botën Arbëreshe (sidomos me Kalabrinë, që është më afër) departamenti (Assessorato) për zhvillimin shoqëror e kulturor arbëresh i Bashkësisë së Komunave Malore të krahut të djathtë të lumit Krati (Comunità montana destra Crati) u bë nismëtar organizimit të një kursi të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare. Në këtë bashkësi bëjnë pjesë pesë komuna arbëreshe: Shën Mitri, Shën Sofia, Mbuzati, Vakarici, Strigari, të cilat përfshijnë edhe dy-tri fshatra më të vogla (të quajtura italisht fraksione, p.sh. Maqi, fshati i Jeronim De Radës, që përfshihet në komunën e Shën Mitrit). Sipas të dhënave të sotme Shën Mitri ka 3692 banorë, Shën Sofia 2954, Mbuzati 1591, Vakarici 1192 dhe Strigari 645 – gjithsej 1074 banorë.
Për zhvillimin e këtij kursi iu kërkua Ministrisë së Arsimit të dërgonte dy pedagogë dhe rasti e solli që njëri të isha unë dhe tjetri kolegu im në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë Veli Bici (1938–2019). Kursi u hap në kolegjin historik të Shën Mitrit më 15 shtator 1980 dhe vijoi pesë javë. Në fjalën e hapjes Vincenzo Minisci, asesor për kulturën në Bashkësinë e Komunave Malore dhe kryetar i komunës së Mbuzatit, vuri në dukje se qëllimi i kursit dhe i veprimtarive të tjera të ngjashme ishte që të njësohej kultura arbëreshe me kulturën shqiptare, që kultura arbëreshe të zhvillohej si pjesë përbërëse e kulturës shqiptare, ashtu siç ka qenë edhe në të kaluarën. Për organizimin e kursit dhe mbarëvajtjen e tij luajtën një rol të rëndësishëm Qendra e Dokumentimit dhe e Kërkimeve Arbëreshe, e themeluar para dy vjetësh në Shën Mitër, si edhe qendra «Zjarri» e biblioteka «Filomena Faraco», të përfaqësuara nga studiuesi i njohur arbëresh, drejtori i revistës «Zjarri», zoti Giuseppe Faraco (1936–1998), famullitar i Shën Mitrit. Sekretarët e kursit Damiano Guagliardi e përballoi më së miri të gjitha detyrat e tyre.
Kursi ngjalli një interesim shumë të madh, sidomos në brezin e ri, jo vetëm në pesë komunat e sipërpërmendura, por edhe në komuna të tjera arbëreshe të Kalabrisë. Deri ditën e hapjes ishin regjistruar rreth 200 veta, ndërsa më pas numri i përgjithshëm i të regjistruarve arriti në 259. Shumica dërrmuese e pjesëmarrësve të kursit ishin vajza e gra. Djemtë në katundet arbëreshe mërgonin në qytetet e Veriut ose jashtë Italisë ose edhe jashtë vendit për të kërkuar punë. Përveç arbëreshëve në kurs morën pjesë dhe ndoqën me zell mësimet edhe disa italianë e italiane, mësues a edukatore kopshtesh në fshatrat arbëreshe ose të martuara me arbëreshë a anasjelltas. Duke marrë parasysh shtimin krejt të paparashikuar të pjesëmarrësve në kurs, u bashkua me ne si mësimdhënës edhe Franko (Francesco) Altimari (1955), arbëresh nga Shën Mitri (po e ëma nga Maqi), i cili sapo kishte kryer studimet e larta në Universitetin e Kalabrisë (Rende - Kozencë) dhe qe emëruar asistent në katedrën e gjuhës shqipe të atij Universiteti, që drejtohej nga themeluesi i saj, i përndrituri prof. Francesco Solano (1914–1999), i njohur gjithashtu edhe me pseudonimin letrar Dushko Vetmo. Franko Altimari ishte kureshtar të njihte më mirë punët e gjuhësisë sonë, veprimtarinë e shkencore të Institutit të Gjuhësisë, kurse ne kishim rastin të mësonim prej tij shumëçka për Botën Arbëreshe, për katedrën albanologjike në Universitetin e Kalabrisë, për të folmet arbëreshe, për projektet studimore rreth tyre etj.etj. Kursi u zhvillua në dy qendra: një ditë në Shën Mitër, ku ishin regjistruar 117 pjesëmarrës nga Shën Mitri, Shën Sofia e Maqi, dhe një ditë në Mbuzat, ku ishin regjistruar 142 pjesëmarrës nga Mbuzati, Vakarici e Strigari. Përbërja e kursit sipas profesioneve ishte kjo: 112 arsimtarë (kryesisht të shkollave fillore), 21 edukatore kopshtesh, 56 të diplomuar në degë të ndryshme, 44 studentë dhe 26 me profesione të ndryshme. Si në Shën Mitër, ashtu edhe në Mbuzat mësimet u zhvilluan në tri klasa paralele dhe me sistem qarkullimi të mësimdhënësve: në krye të javës çdonjëri prej nesh merrte një klasë të re dhe kështu kursistët njohën tre mësues të ndryshëm, ndërsa mësuesit njohën të gjithë pjesëmarrësit e kursit. Në kurs si tekste bazë u përdorën libri i parë i metodës «Gjuha shqipe» (për shqiptarët në mërgim), i hartuar nga pedagogët e katedrës së gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, Lumni Radovicka, Zana Karapici e Ana Toma, dhe libri “Manuale di lingua Albanese” i prof. F. Solanos, i cili u përdor si tekst gramatike. Meqenëse shumica dërrmuese e pjesëmarrësve në të dyja grupet e kursit ishin arbëreshë dhe flisnin në familjet e tyre e në shoqëri dialektin arbëresh, u bë e mundur që gjatë pesë javëve (në 30 orë) të përfundoheshin të 30 mësimet e librit të parë të metodës “Gjuha shqipe”, duke u bërë edhe pjesa më e madhe e ushtrimeve, disa diktime e një hartim i shkurtër. Në dy javët e fundit, kur dëgjuesit ishin familjarizuar me gjuhën e sotme letrare, u zhvilluan disa mësime për letërsinë shqiptare të Rilindjes, të Pavarësisë, për letërsinë bashkëkohore si edhe për letërsinë arbëreshe (të cilën vetë arbëreshët pothuajse nuk e njohin, pasi nuk mësohet në shkollë), për historinë e gjeografinë e Shqipërisë dhe për historinë e gjuhës shqipe. Këto mësime u ndoqën me interesim shumë të madh. Vizitat e grupeve të ndryshme të arbëreshëve në Shqipëri, organizimi i javës së kulturës shqiptare dhe shfaqjet e ansambleve tona artistike në Kalabri e në Sicili e kishin shumëfishuar dëshirën e përhershme të arbëreshëve për ta njohur sa më gjerë historinë e kulturën kombëtare. Në përfundim të kursit 160 nga pjesëmarrësit që ndoqën mësimet më me rregull dhe që kishin përvetësuar në mënyrë të kënaqshme programin përkatës, morën nga një dëshmi. Për shumicën e pjesëmarrësve të kursit ky ishte takimi i parë me gjuhën letrare shqipe. Në fillim pati vështirësi, sidomos për shqiptimin e zanores y (që dialekti arbëresh nuk e ka) e të bashkëtingëllores ll (arbëreshët e Kalabrisë e shqiptojnë afërsisht si gh: dieghi ‘dielli’). Gjatë zhvillimit të kursit, hap pas hapi, te pjesëmarrësit u formua bindja se dialekti arbëresh i fshatrave të tyre ka shumë gjëra të përbashkëta e të afërta me gjuhën e sotme letrare shqipe dhe se për arbëreshin mësimi i shqipes letrare nuk është aspak mësim i një gjuhe të huaj. Arbëreshët njohin dhe përdorin një numër të mirë fjalësh shqipe të parme, por nuk i dinë fjalët e prejardhura (sepse nuk do t’i ketë pasur shqipja e kohës kur u shpërngulën), por i kuptojnë dhe i mësojnë menjëherë. Për shembull gjithë arbëreshët e dinë fjalë udhë, prandaj menjëherë i kuptojnë dhe mësojnë t’i përdorin fjalët për ta krejt të reja: udhëtar, udhëtoj. udhëtim – në vend të tyre ata përdorin italianizma dhe thonë p.sh. viaxhatur, viaxharinj, viaxh ... Po kështu edhe për shumë fjalë të tjera të prejardhura e të përbëra. Të folmet arbëreshe e kanë ruajtur edhe skeletin e strukturës gramatikore të shqipes. Vërtet vende-vende ky skelet është i dëmtuar, por mund të mbushet pa ndonjë vështirësi të madhe. Sidoqoftë si hap i parë një kurs i tillë shërben për të bërë funksionale arbërishten e trashëguar. Pas kësaj vjen hapi i dytë, kalimi në shqipen e sotme. Kështu p.sh. kur një arbëresh i kursit mësonte për herë të parë foljen udhëtoj, në detyrat me shkrim ai e zgjedhonte sipas së folmes së vet: na udhëtomi dhe jo sipas librit (ne udhëtojmë – siç e bënin italianet ose italianët e fejuar a martuar me arbëreshë/arbëreshe dhe që vinin te kursi për të mësuar shqipen). Gjatë kursit zhvilloheshin edhe diskutime të gjalla zbavitëse kur një fjalë të librit një pjesë e kishin të njohur nga e folmja e katundit të vet, ndërsa një pjesë nuk e dinin: Si nuk e dini ju këtë fjalë! Na kështu i thomi! Ma ç’jeni ju, jeni arbëreshë? ... Në një mësim vura re se fjalën gojë (në shqiptimin arbëresh goljë ose golë) disa e kuptonin si ‘grykë’ dhe i pyeta: Si thotë mjeku këtu: Hape golën të të shoh grikën? apo Hape grykën të të shoh golën? Dhe klasa u nda më dysh, sepse në disa katunde fjala grikë ka marrë kuptimin ‘gojë’, ngaqë fjala gola e italishtes i ka zënë vendin fjalës grykë dhe kështu këta thonë Hape grikën të të shoh golën për habinë e madhe të atyre që kanë ruajtur përdorimin e shqipes: Hape goljën të të shoh grikën! Ndonjëherë gjatë mësimit kishte edhe “protesta” gjuhësore! Te një pjesë leximi ishte fjala panatallona (Petriti bleu një palë pantallona ...). – Ma, pse thoni ju panatallona! Pantallona është italiano! – Po ju si u thoni? – Tirq! Bleva një par tirq! Por për ne tirqit sot janë vetëm pjesë e veshjes popullore. Në një rast tjetër protesta ishte për fjalën pirun (me burim nga dialekti venecian). Arbëreshët e Kalabrisë pirunin e quajnë grep, ndërsa për grepin e peshkimit përdorin fjalën amo të italishtes. Mësuesit arbëreshë të italishtes që merrnin pjesë në kurs, dhe dëgjues të tjerë të kursit tregonin, kur vinte rasti, për vështirësitë fillestare të nxënësve arbëreshë në mësimin e italishtes, për shkak se ata në shkollë flasin italisht, por mendojnë arbërisht, p.sh. në gjuhën shqipe kemi trajtën e shkurtër përemërore i për rasën dhanore (i thashë atij – i thashë asaj) pavarësisht nga gjinia; në italishte dallohet gli ho detto (i thashë atij) dhe le ho detto (i thashë asaj), por nxënësit arbëreshë, duke u nisur nga shqipja, shkruanin gli ho detto edhe për gjininë femërore Kishte ndodhur që një nxënës, duke pasur ndër mend shprehjen shqipe ra këmbana kishte shkruar italisht è caduta la campana dhe mësuesja italiane kishte zënë kokën me duar! Duke marrë ato përmasa që përmendëm, kursi pati edhe një të mirë të paparashikuar: gjatë pesë javëve dhjetëra të rinj e të reja nga fshatra të ndryshme patën rastin të takoheshin për herë të parë ose të njiheshin më nga afër e më mirë me njëri-tjetrin, duke krijuar një lloj bashkësie rinore intelektuale arbëreshe, qoftë edhe virtuale. Gjatë qëndrimit në fshatrat arbëreshe patëm rastin të njiheshim nga afër me një varg studiuesish arbëreshë si prof. Françesko Solano, Ndon Belushi, Lluka Perone, Xhuzepe Farako, Emanuil Jordani, Xhorxho Marano etj. Disa prej tyre kishin mbledhur materiale të pasura gjuhësore, folklorike. etnografike e historike dhe punonin me zell për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore arbëreshe. Krahas tyre mjaft të rinj u ishin kushtuar studimeve shkencore në fushën e gjuhësisë, të letërsisë, të folklorit e të historisë dhe të problemeve të sotme ekonomike e shoqërore të popullsisë arbëreshe në Itali. Kishim dëgjuar edhe më parë për atë veti dalluese të arbëreshëve, që hyjnë e dalin nëpër qytetërime të ndryshme dhe mbeten për jetë arbëresh. Prof. F. Solano na tregoi në një rast se në vitet ’60 filluan të ktheheshin në katundet e tyre për të kaluar pleqërinë, si pensionistë, mjaft arbëreshë që ishin larguar para 40 vjetësh në SHBA, në Argjentinë e në vende të tjera të largëta. Pas një jave, duke i parë të shtruar në bisedë me shokët e fëminisë te bari i fshatit, nuk mund të dalloje se cili prej tyre ishte i mërguari prej dyzet vjetësh dhe cili nuk kishte lëvizur kurrë nga fshati! Ishin bërë njësoj në çdo vështrim! Njohja me arbëreshët dhe me Arbërinë e vogël kodrinore në Kalabri, nga Kozenca deri në Kastrovilari, ishte një përvojë tepër mbresëlënëse dhe e paharruar për ne. Vizituam mjaft katunde dhe vende historike të arbëreshëve. Me sytë e mendjes përpiqeshim të përfytyronim kohët kur arbëreshët e parë u vendosën në ato djerrina të thata kodrinore dhe me djersët e tyre i kthyen në fshatra, në ullishta, në ara e në kopshte për të mbajtur gjallë familjet, Shpirtin e Arbrit, krenarinë dhe epërsinë e fisit luftëtar, që ka frymëzuar edhe një kulturë letrare e shpirtërore të pashembullt për nga vitaliteti dhe ndikimi frytdhënës te kultura kombëtare shqiptare. Gjallërimi i jetës kulturore e shoqërore të arbëreshëve në vitet ’60–’80 dhe vetë zhvillimi i këtij kursi me një pjesëmarrje që i tejkaloi disa herë parashikimet e organizuesve, dëshmonin qartë se popullsia e sotme arbëreshe në Itali është një “degë e blertë” e një trungu me rrënjë të thella e të forta, që ka qëndruar në këmbë për pesë shekuj. Vendosmërinë e tyre për të ruajtur gjuhën e traditat e kombësisë arbëreshët e shprehën edhe një herë në këngët e bukura të festivalit të parë të këngës arbëreshe i zhvilluar në Shën Mitër në gusht 1980, jehona e të cilit ishte e gjallë edhe gjatë kohës që qëndruam në atë katund mikpritës. Në njërën prej tyre thuhet:
Pesëqind vjet shkuan te ki dhe Jemi arbëreshë, mos e harromi, tue shurbier pa një hare, gjuhën tonë na kemi e vjomi tue shurbier e tue luftuarkudo jemi “gjaku i shprisht” na arbëreshë kemi qëndruar. thomi fort: na fjasmi arbërisht.
Prej vitit kur u organizua kursi i gjuhës shqipe në Shën Mitër ka rrjedhur shumë ujë, ose për ta thënë me fjalët e De Radës, sot ka ujë të ri në dejtit! Por ashtu si llumbardha (pëllumbi) e Anakreontit, edhe Shpirti e Gjuha e Arbrit rrojnë! Nuk dua të hyj këtu në diskutimin kompleks se në cilën fazë gjendet arbërishtja sipas shkallëzimeve të propozuara nga sociolinguistët që janë marrë e merren me vëzhgimin e “gjuhëve në rrezik”. Unë gjykoj se disa praktika të dobishme të së kaluarës duhen ringjallur dhe duhen zbatuar në kushtet e reja dhe me mjetet e reja të sotme të punës. Për këtë le të bëhen nismëtare Ministria e Diasporës me Qendrën e Studimeve e të Publikimeve për Arbëreshët, duke kërkuar bashkëpunimin e Ministrisë së Arsimit dhe të Universitetit të Tiranës, që ka tashmë një përvojë të pasur për organizimin e kurseve të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare. Le të ndërtohet një program për të sjellë çdo vit një numër të caktuar arbëreshësh, në radhë të parë mësues, në trojet e lashta stërgjyshore duke i kualifikuar më mirë në njohjen e shqipes së sotme dhe për të njohur vendet historike kryesore të Shqipërisë. Por edhe autoritetet vendore të arbëreshëve mund të bëhen nismëtare për të organizuar herë pas here kurse të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare. Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët mund të përmbushë një rol domethënës në këtë veprimtari, duke përgatitur mjete ndihmëse në formë librash e broshurash për kurset. Synimi mbetet po ai i organizatorëve të kursit të parë të gjuhës shqipe në Shën Mitër më 1980: kultura arbëreshe të mos birret, por të zhvillohet më tej si pjesë përbërëse e kulturës shqiptare, ashtu siç ka qenë edhe në të kaluarën.
Comments